Secondary Adv

Ndërsa kredia për shtëpi ulet, kredia konsumatore po rritet përsëri këtë vit

Kredia konsumatore po vijon rritjen me ritme të forta edhe gjatë vitit 2026, ndërsa huadhënia për blerje banesash ka shfaqur shenja ngadalësimi në muajt e parë të vitit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sektori bankar disbursoi rreth 15.3 miliardë lekë kredi të reja konsumatore gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Kjo është njëkohësisht vlera më e lartë historike e regjistruar ndonjëherë për kredinë konsumatore në një tremujor të parë viti.

 

Pjesa më e madhe e huadhënies konsumatore vijon të dominohet nga monedha vendase. Mbi 88% e kredive të reja konsumatore të dhëna këtë vit janë në lekë.

 

Portofoli i kredisë konsumatore arrin mbi 111 miliardë lekë

Në fund të tremujorit të parë 2026, portofoli total i kredisë konsumatore arriti në 111.2 miliardë lekë, duke u rritur me 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Rritja është shpërndarë pothuajse në të gjitha segmentet kryesore të huadhënies konsumatore.

Kredia për mallra të qëndrueshëm u zgjerua me 25.7%, kredia për mallra jo të qëndrueshëm me 18.6%, ndërsa overdraftet e përdorura nga individët u rritën me 9.7%.

 

Kategoria e mallrave të qëndrueshëm përfshin kryesisht financimin për blerjen e pajisjeve elektronike, elektroshtëpiakeve, mobiljeve, automjeteve dhe produkteve të tjera me jetëgjatësi mbi tre vjet.

Nga ana tjetër, kredia për mallra jo të qëndrueshëm lidhet kryesisht me shpenzime për konsum afatshkurtër dhe shërbime të ndryshme.

 

Kredia për banesa bie me 15%

Në kontrast me ecurinë e kredisë konsumatore, huadhënia për blerje banesash ka shfaqur rënie gjatë tremujorit të parë të vitit.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, kredia për shtëpi rezultoi 15% më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Ngadalësimi i këtij segmenti lidhet pjesërisht edhe me kufizimet e vendosura nga Banka e Shqipërisë për kreditë hipotekore, të cilat synojnë të frenojnë rreziqet në tregun e pasurive të paluajtshme.

Si rezultat, bankat duket se po orientohen gjithnjë e më shumë drejt huadhënies konsumatore, një segment që po karakterizohet nga konkurrencë në rritje.

 

Bankat lehtësojnë kushtet për kreditë konsumatore

Të dhënat e Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues tregojnë se kërkesa e individëve për kredi konsumatore u rrit gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, ndërsa kërkesa për kredi për blerje banesash u dobësua.

 

Në të njëjtën kohë, bankat kanë lehtësuar kushtet e kreditimit vetëm për segmentin e kredive konsumatore, ndërsa kriteret për kreditë hipotekore mbetën të pandryshuara.

 

Lehtësimi është reflektuar përmes uljes së marzheve të interesit për kreditë standarde, rritjes së shumës së financimit dhe zgjatjes së maturitetit të huave konsumatore.

 

Sipas Bankës së Shqipërisë, konkurrenca më e fortë mes bankave ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka nxitur këtë tendencë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat